
Kur e këndonte këngën “Simpatia” me Memli Krasniqin, dy gjëra kanë qenë krejt të paparamendueshme për Edona Llalloshin: që do të bënte aq shumë ndërhyrje estetike dhe që mund të përfundonte në oborrin politik të Albin Kurtit.
E para ndodhi, por nuk e mori kurrë vëmendjen sepse u pa si dikush që po e ndjek trendin. Hapi i dytë ishte pak surprizues por prapë u pa si dikush që e ndjek trendin, tashmë të këngëtares që s’ka çfarë të japë më në muzikë dhe hyn në politikë.
Edhe më të hyrë në politikë, u pa se s’kishte ça t’jepte. Por, aty nuk çaloi Edona Llalloshi ishte sërish ndjekja e trendit. Ajo u bashkua në karvanin e militantëve që duhet t’i bëjnë të gjitha për liderin, dhe nuk e la t’i ikën as kënga e Çun Mulës që u bë trene në tiktok.
Këngëtaro-deputetja që të jep përshtypjen se sot Albin Kurtin e ka zëvendësuar me vëllain e saj Milotin, mori këngën për Çun Mulën e masakroi dhe e ktheu në himn për Albin Kurtin. Hotin e Grudën e bëri Jarinjë e Bërnjak, e Albin Kurtin e bëri edhe më epik se Çun Mulën, bajraktarin e Hotit që i ishte sosur jeta duke shtënë mbi forcat malazeze.
Nga skena e një salle të Cyrrihut, përballë Albin Kurtit ajo me emocione që s’ia kishte dhënë as simpatia që e këndonte me Memlin, buçiste: Nuk jam djalë o me u koritë, jam Albini o pushkë me qitë e…
Në anën tjetër Kurti nga rendi i parë i publikut e duartrokiste i përlotur. I kujtohej pushka që nuk e kapi kurrë. Ajo pushkë kundër të cilës fliste dikur në gjuhë angleze. I kujtohej që s’kishte qenë kurrë as në poligon. E për më keq, shumë pak kishte luajtur edhe counter-strike.
Dhe teksa po fshinte lotin e mallëngjimit, pëe një çast iu afrua Xhelal Sveçla dhe e thirri: Komandant, çu se e kemi aeroplanin për Prishtinë…
*Shënim: Rubrika ‘Facebookologjia’ është krijuar si një satirë e pastër, ku ngjarjet, personazhet dhe situatat trajtohen me humor, ironi dhe sarkazëm; ndaj çdo përmbajtje në këtë seksion duhet kuptuar si satirike dhe jo si informacion real.


