Sot, fatkeqësisht, kjo energji mbetet e mbyllur, e akumuluar, dhe askush nuk po arrin ta lirojë.
Kriza është reale, dhe qytetari e ndjen çdo ditë
Nuk duhet ekspertizë e lartë ekonomike për ta parë se Kosova po kalon një krizë të thellë.
Çmimet rriten. Pagat ngecin. Investitorët po hezitojnë të vijnë, disa po largohen. Të rinjtë po e braktisin vendin me ritme alarmante. Bizneset po tkurren, prodhimi mezi ekziston, eksportet mbesin simbolike.
Kjo krizë nuk është abstrakte; ndihet në treg, në tryezën familjare, në faturat mujore. Dhe, akoma më e rëndë: ndihet mungesa e shpresës.
Në këtë situatë shfaqen përpjekje për ta zbukuruar realitetin me interpretime statistikash që nuk i shërbejnë askujt. Kur e vërteta zëvendësohet me iluzione, humbet orientimi i një shoqërie të tërë.
Faktet janë të qarta, pavarësisht propagandës
Publikut i duhet thënë e vërteta: shifrat që u qarkulluan ditëve të fundit për ekonominë tonë nuk përputhen me të dhënat e FMN-së. Sipas World Economic Outlook (prill 2025), rritja ekonomike ishte 4.4% për vitin 2024 dhe pritet të bjerë në 3.9% këtë vit.
Edhe këto shifra, që duken “pozitive”, janë të pamjaftueshme për një ekonomi me bazë kaq të ulët. Nëse si shtet synojmë t’i kapim e tejkalojmë fqinjët, nëse synojmë të bëhemi realisht vend i zhvilluar, rritja jonë duhet të jetë së paku 10% në vit – dhe kjo kërkon transformim, jo retorikë.
Në anën tjetër, krahasimet me Gjermaninë janë groteske; disa zgjodhën ta krahasojnë Kosovën me këtë shtet përmes një shifre të vetme rritjeje.
Mos të harrojmë: Gjermania ka ekonomi 420 herë më të madhe, PBB për frymë 8 herë më të lartë, dhe eksporte 1,500 herë më të mëdha se Kosova.
Një krahasim i tillë nuk është argument. Është mashtrim.
Sfida jonë nuk është statistike — është strukturore
Problemi i Kosovës nuk është rritja prej 4%. Problemi është se:
— nuk kemi prodhim,
— nuk kemi industri,
— nuk kemi eksport,
— nuk kemi siguri juridike,
— nuk kemi stabilitet politik,
— nuk kemi politika që nxisin sipërmarrjen dhe kapitalin.
Për më tepër, ekonomia e jonë nuk po krijon vende pune të qëndrueshme. Nuk po e rrit standardin e jetesës. Nuk po e ndal shpërnguljen e të rinjve. Dhe, fatkeqësisht, po karakterizohet me rrjedhje apo ikje të investimeve nga Kosova.
Në vend të iluzioneve, politika duhet të krijojë hapësirë për njerëzit që mund ta çlirojnë potencialin e Kosovës
Kosova nuk do të zhvillohet me potencialin e deklaruar të politikanëve. Asnjë politikan nuk e zhvillon vendin vetëm me ambicie personale. Kosova do të përparojë vetëm atëherë kur udhëheqësit tanë t’i vë në ballë njerëzit e duhur: profesionistë, vizionarë dhe të pakorruptueshëm — që dinë të çlirojnë, por edhe ta stimulojnë potencialin e ndrydhur të vendit.
Prandaj, këto zgjedhje nuk duhet të jenë garë premtimesh. Duhet të jenë garë ekipesh. Garë kompetencash. Garë vizionesh.
Besimi është valuta që i mungon Kosovës sot
Asnjë vend nuk ecën përpara pa besim. Asnjë reformë nuk funksionon pa besim. Asnjë ekonomi nuk gjallërohet pa besim në institucionet, në drejtësinë dhe në të ardhmen e vendit.
Historia e çdo vendi të suksesshëm e dëshmon një gjë të thjeshtë: zhvillimi nis vetëm kur qytetari beson se ia vlen të qëndrojë.
Dhe sot, sfida jonë më e madhe nuk është rritja. Është pikërisht kjo: t’i kthejmë besimin qytetarit.
Vetëm atëherë Kosova nis të ecë përpara.