Kapi për fyti gjyqtarin, dënohet me vetëm dy mijë euro gjobë

Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës “e ka kursyer” trajneri Tahir Batatina, duke ia vendosur një gjobë qesharake për veprimet e tij anti-sportive e sulmuese ndaj zyrtarëve të ndeshjes.

Komisioni Disiplinor e dënoi me vetëm 2 mijë euro gjobë trajnerin Batatina për shkak se e kishte fyer, e kishte përcjellë me makinë dhe e kishte kapur për fyti gjyqtarin Egzon Dakaj.

“Bazuar në nenin 6 paragrafi 1 pika C dhe nenin 14 paragrafi 1 pika 1 dhe paragrafi 2 pika C të Rregullores disiplinore: Dënohet me shumë prej 2000 euro. Afati i pagesës është 15 ditë nga dita kur vendimi bëhet i plotfuqishëm”, thuhet në vendimin e KD-së së FFK-së.

Në vendim po ashtu janë përshkruar edhe sjelljet anti-sportive të trajnerit Batatina.

Ai thuhet se kishte ofenduar gjyqtarin Dakaj dhe kishte tentuar ta sulmonte, teksa edhe pas përfundimit të ndeshjes e kishte përcjellë me makinë deri në Prishtinë ku më pas e kishte kapur për fyti.

“Pas përfundimit të ndeshjes, me tone të larta kundërshton vendimin e gjyqtarit kryesor duke e fyer dhe ofenduar. Veprimet e tij ishin agresive, kërcënuese dhe tentonte t’i afrohej gjyqtarit, mirëpo falë ndërhyrjes së policisë evitohet më e keqja. Pas arritjes në Prishtinë, në parkingun e “Viva Fresh” në Veternik, i bllokon veturën gjyqtarit kryesor dhe përsëri kërkon sqarim për dhënien e kartonit të kuq me tone të larta, si dhe kap për fyti, mirëpo falë ndërhyrjes së delegatit të ndeshjes, i cili ishte prezent, nuk lejohet të eskalojë situata. (Sipas raporteve të personave zyrtarë të ndeshjes Gjilani–Llapi)”, thuhet në vendim.

Në xhiron e fundit Llapi u mposht nga skuadra e Gjilanit me rezultat 3:0. Momentalisht Llapit ndodhet në pozitën e shtatë në tabelë me 20 pikë.

Lexo edhe:

Back to top button