
Policia italiane në Foligno ka goditur një rrjet të shpërndarjes dhe trafikut të kokainës, duke arrestuar një 20-vjeçar shqiptar, i cili u kap në flagrancë dhe rezultoi me precedentë të mëparshëm për veprat penale lidhur me narkotikët.
Në hetim është marrë edhe një bashkëatdhetar i tij, i dyshuar se e ndihmonte në veprimtarinë e paligjshme. Të dy po hetohen gjithashtu për hyrje të paligjshme në banesën ku jetonin.
Dyshimet u ngritën pas raportimeve të banorëve të lagjes “Via Piave”, të cilët kishin vënë re lëvizje të pazakonta dhe aktivitet të dyshimtë.
Policia vendosi vëzhgim të zonës dhe dokumentoi takimet e 20-vjeçarit me klientë të mundshëm. Më pas, oficerët organizuan një operacion të befasishëm dhe e arrestuan të riun me 25 gramë kokainë të ndarë në doza, gati për shitje.
I arrestuari është dërguar në paraburgim në Peruxhia, ndërsa bashkëpunëtori i dyshuar po hetohet në gjendje të lirë.



