
Sipas raportit, 40.84% e shqiptarëve që punojnë në Gjermani janë të punësuar në kategorinë “helper” (ndihmës), e cila përfshin profesione të pakualifikuara ose gjysmë të kualifikuara, si punë fizike, logjistikë, shërbime dhe industri bazë, transmeton Spektatori.
Emigrantët nga Ballkani kanë zënë një rol të rëndësishëm në tregun gjerman të punës. Të dhënat e Bruegel, një organizatë kërkimore, tregojnë se shqiptarët dominojnë në profesione me aftësi të ulëta dhe të mesme, ndërsa renditen ndër më të ultët në rajon për përfshirje në punë të kualifikuara.
Shqipëria është ndër vendet me përqindjen më të lartë të punonjësve në profesione me nivel të ulët dhe të mesëm aftësish, por ndër më të ultat për punë të specializuara dhe eksperte.
Përqindja e shqiptarëve në kategorinë “helper” arrin 40.84%, një nivel ndër më të lartët në Ballkan, krahasuar me Bosnjën (30.43%) dhe Serbinë (33.59%). Ndërkohë, 48.94% punojnë si punëtorë të kualifikuar, që përfshijnë profesione teknike, mekanikë, ndërtim, instalime dhe zanate të tjera që kërkojnë trajnim profesional. Megjithëse kjo kategori tregon një nivel më të lartë formimi, Shqipëria mbetet larg vendeve të avancuara të BE-së, ku profesionet e specializuara zënë një peshë dukshëm më të madhe.
Në kategoritë profesionale të larta, Shqipëria renditet ndjeshëm më poshtë. Vetëm 4.54% e shqiptarëve në Gjermani punojnë si “specialistë” – si infermierë të kualifikuar, teknikë të avancuar apo profesionistë të shëndetësisë – dhe vetëm 5.53% janë të punësuar si “ekspertë”, kategori që përfshin profesionistë me arsim të lartë, inxhinierë, IT specialistë, ekspertë financiarë dhe role të ngjashme.
Krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit, diferencat janë të qarta: Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë përqindje më të larta të punonjësve të kualifikuar dhe specialistëve, ndërsa Shqipëria mbetet e përqendruar në pozita me vlerë të ulët të shtuar. Në vendet e BE-së, veçanërisht në Europën Perëndimore, 26–30% e punonjësve klasifikohen në kategori specialiste ose eksperte.
Në total, 89.78% e shqiptarëve në Gjermani punojnë në dy kategoritë më të ulëta të aftësive — “helper” dhe “skilled worker”.
Këto të dhëna reflektojnë nevojën e tregut gjerman për fuqi punëtore në sektorë bazë, por edhe mungesën e një baze të gjerë profesionistësh të kualifikuar nga Shqipëria. Kjo lidhet si me cilësinë ende të dobët të arsimit profesional, ashtu edhe me pagat relativisht të ulëta që ofrohen në profesione të larta brenda vendit, çka dekurajon orientimin drejt karrierave të specializuara.
Në plan afatgjatë, ky trend paraqet sfida për tregun shqiptar të punës, me rrezikun e boshatisjes së profesioneve të kërkuara, ndërsa për Gjermaninë nënkupton vazhdimin e varësisë nga emigracioni për plotësimin e sektorëve të caktuar.



