
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj Qeverisë Kurti, duke publikuar shifra të cilat, sipas saj, dëshmojnë rritje dramatike të humbjeve të energjisë në komunat veriore gjatë viteve të fundit.
Bajrami thotë se vetëm në periudhën 2021–2023 humbjet e energjisë në veri kapin shifrën prej 131 milionë euro, ndërsa akuzon qeverinë aktuale për lehtësim të aktivitetit të paligjshëm, duke përmendur “kriptovalutat dhe laboratorët e drogës” që, sipas saj, kanë lulëzuar në këtë periudhë.
Ajo thekson se humbjet e energjisë janë rritur deri në 15 fish, nga 4 milionë euro në vitin 2020 në 63 milionë euro në vitin 2022. Sipas saj, qytetarët po paguajnë një barrë të rëndë financiare për konsum të energjisë në veri.
“Ne nuk vizatojmë grafe në zyret e partisë. Prej ditës së parë kemi folur me fakte. Nuk po flasim për centa, por për qindra miliona euro të paguara nga xhepat e qytetarëve të këtij vendi”, shkruan Bajrami, duke shtuar se të gjitha raportet financiare ndodhen në komentet e postimit.
Ajo në Facebook ka publikuar edhe shifrat vjetore të humbjeve të energjisë në komunat veriore, bazuar në raportet financiare dhe auditorin e pavarur të KOSTT-it:
2020: 4 milionë euro
2021: 41 milionë euro
2022: 63 milionë euro
2023: 27 milionë euro
“Në koment janë të gjitha raportet, faqet dhe shenimet se ku janë marrë këto të dhëna. Shihni raportet dhe e kuptoni sa ka pagu populli i Kosovës për energjinë e shpenzuar në veri gjatë qeverisë Kurti”, shkroi ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami.



