
Emisioni i mbrëmshëm i “Favoritit” në T7 shpalosi një problem tjetër në Superligën e Kosovës.
Profesori dhe trajneri i mirënjohur kosovar, Bylbyl Sokoli ishte pjesë e panelit, dhe gjatë diskutimit e sipër e ‘hodhi’ një bombë, duke u ankuar në topat e rinj të Superligës së Kosovës.
Ai tha se këta topa të dhënë nga Federata e Futbollit e Kosovës janë imitim i brendit të “Adidasit” dhe se nuk bënë të luhet me ta në mot të ftohtë.
Këtë e ‘konfirmoi’ edhe trajneri i Llapit, Tahir Batatina, i cili po ashtu ishte pjesë e panelit të mbrëmshëm në “Favorit”.
Sokoli më tutje shtoi se edhe mbi pesë trajnerë tjerë të Superligës e kanë të njëjtin mendim si ai.
Mirëpo, një ditë pas “Favoritit” dhe diskutimit për kualitetin e topave të Superligës, një trajner, pjesë e Qendrës Sportive Trajnuse “AFF”, ka thënë se Superliga çalon në gjërat edhe më elementare.
Doni Mirena ka reaguar në rrjetin e tij social “Facebook”, duke thënë se Superliga e Kosovës nuk është një “ligë profesionale”, por është një ligë ku lulëzon amatorizmi dhe keqmenaxhimi.
Ky është reagimi i tij i plotë në “Facebook”:
“Përtej propagandës dhe videove për topa loje, realiteti në futbollin tonë është alarmante. 98% e klubeve ua vonojnë pagat lojtarëve dhe nuk i kryejnë obligimet financiare me rregull, duke shkelur drejtpërdrejt drejtat e të tyre. Rreth 95% e klubeve nuk i plotësojnë as kushtet minimale, përfshirë tualete funksionale dhe hapësira elementare pune. Në këto rrethana, Superliga nuk mund dhe nuk duhet të quhet lig profesionale. Ky është amaterizëm, mungesë totale e profesionaizmit dhe keqmenaxhim i vazhdueshëm, që nis nga federata, vazhdon te klubet dhe përfundon me dëmtimin e gjeneratave të reja, të cilat po rriten pa sistem, pa organizim dhe pa perspektivë. Pa përgjegjësi, pa kushte dhe pa respektim të kontratave, nuk ka futboll profesional, ka vetëm mashtrim publik”, shkruan ai./GazetaExpress/



