
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka folur sërish për ngërçin politik që u krijua disa muaj më parë në Kuvendin e Kosovës, duke theksuar se refuzimi i LDK-së ishte shkaku kryesor i bllokadës, raporton Spektatori.
Kurti ka bërë të ditur se i kishte dërguar një letër kryetarit të LDK-së më 5 maj, por ajo ishte refuzuar, gjë që, sipas tij, çoi në vazhdimin e ngërçit në procesin e konstituimit të Kuvendit.
“I dërgova letër kryetarit të LDK-së, nëse nuk gaboj me datë 5 maj, mirëpo kjo u refuzua dhe më pastaj vazhdoi ai ngërçi në konstituimin e Kuvendit. Patëm shumë kohë të humbur gjatë gjithë atyre muajve”, ka thënë Kurti për Albradio në Zvicër.
Ai ka renditur edhe emrat që, sipas tij, nuk u pranuan nga opozita për pozita institucionale. “Nuk e pranuan Albulena Haxhiun, nuk e pranuan votimin e fshehtë, nuk e pranuan Donika Gërvallën për kryetare të Kuvendit, nuk e pranuan Hekuran Muratin, nuk e pranuan Arbërie Nagavcin, ndërsa e pranuan Dimal Bashën për herën e dytë”, ka deklaruar Kurti.
Kryeministri në detyrë ka folur edhe për dështimin e zgjedhjes së Qeverisë, duke sqaruar se nuk kishte votat e mjaftueshme në Kuvend. “Kur erdhëm te zgjedhja e Qeverisë, nuk i mora 61 votat e nevojshme, ishim pesë deputetë mangu, kishim 56 vota. Megjithatë, donim të bënim gjithçka për të shmangur zgjedhjet e reja. Ofruam edhe emrin e dytë, Glauk Konjufcën, por edhe ai mori vetëm 56 vota”, ka thënë Kurti.



